Trafik i rënduar e mungesë sinjalistike – Vlorë

 - 30/12/2019
Bulevardi Vlorë-Skelë

Trafik acarues e i çmendur në akset kryesore të qytetit, komentojnë qytetarët për VloraWeb.
Prej disa ditësh, segmentet kryesore të qytetit të Vlorës kanë probleme mjaft serioze me qarkullimin e automjeteve.

Bulevardi kryesor, i cili shërben si arteria kryesore e qytetit përballet me një problem serioz gjatë gjithë këtyre ditëve, mungesën e kapacitetit për të përballuar rrjedhën normale të automjeteve e qytetarëve në këto ditë festash.

Duket se rikonstruksioni total i bulevardit mund të ketë përmirësime estetike por jo funksionale. Reduktimi i korsive nga 2 në 1, reduktimi i numrit të parkimeve dhe mungesa rrënjësore e sinjalistikës vertikale rrugore (semaforë), sjellin probleme mjaft shqetësuese për qytetarët.

Rruga Transballkanike

Një tjetër problem është dhe mungesa e stacioneve të transportit publik urban, e cila sjell mjaft kaos në trafik.

Një llogjikë e thjeshtë nxjerr në pah problematikat artificiale që i janë shkaktuar qytetarëve nga mania për të bërë sa më shumë gjëra sipërfaqësore e jo funksionale.

Kur Vlora ka këto probleme në sezonin e dimrit ku numri i automjeteve që qarkullojnë është mjaft i vogël, po në sezonin e verës, si mund të imagjinohet kjo katrahurë?