Si po instalohet Çensurimi i Internetit në Shqipëri dhe askush nuk ndihet

 - 20/04/2020

Siç dihet dhe siç ndodh gjithmonë, në shqipëri të gjitha dukuritë që ndodhin, kalohen në ekstremitet. Rasti më i fundit vjen nga AMA dhe AKEP të cilat në mënyrë arbitrare kanë urdhëruar Albtelecom dhe të gjitha ISP-të e tjera të bllokojnë një shumicë faqesh online.

Në paaftësi për të menaxhuar përmbjatje të caktuara, dhe për të ndjekur rrugë ligjore për të gjithë ata që mund të abuzojnë me përmbajtjet e caktuara, shteti shqiptar, ka filluar çensurën diktatoriale. Duket qartë që kjo vjen vetëm nga disa duar që qëndrojnë afër pushtetit, si në rastin e videos (+18) që u bë virale nga vetë AKEP dhe Top Media, duke specifikuar URL-të dhe duke i bërë publike në portalet e tyre online (që tashmë janë fshirë apo redaktuar). Kjo gjë, mesa duket, solli rritjen e kuriozitetit nga shumica e përdoruesëve dhe kaloi në një bumerang për vetë të cituarit në fjalë.

Si të mos mjaftonte kjo, për shkak të paaftësisë, apo për shkak të ligësisë, AKEP dhe AMA vendos të bllokojë në mënyrë arbitrare të gjitha faqet me përmbajtje për të rritur në Shqipëri.

Edhe pse duke ditur seriozitetin e këtyre mediave si dhe mjetet e ndryshme që ato ofrojnë për të hequr dhe fshirë përmbajtje të caktuara abuzive duket se nuk janë marrë parasysh por është kaluar direkt në bllokimin total të tyre. Pra, shqiptarët “vuajnë” kusurin e një videoje dhe u bllokohen të gjitha faqet, gjë që nuk ndodh as në Kinën komuniste!

Rasti i dytë vjen nga personazhi i njohur për publikun, Ermal Mamaqi, pasi ky i fundit ka denoncuar portalet apo mediat që shpërndajnë filmin e tij “I love tropoja” pa të drejtat e autorit. Deri këtu çdo gjë është konform ligjit, por problemi qëndron me mënyrën se si veprohet për heqjen e ketyre përmbajtjeve. Akep dhe AMA i bjenë shkurt, duke bllokuar IP-në e të gjitha faqeve duke lënë në Black-out total me miliona shqiptarë të tjerë. Edhe në këtë rast, për një gjilpërë në kashtë, u dogj e gjithë kashta! A janë të ligjshme të gjitha këto vendime?

Rasti shembull i bllokimit të faqes Medium.Com, e cila është një platformë ndërkombëtare ku mund të postohen artikuj nga shumë fusha të ndryshme është flagranca e rradhës e diktatorizmit. Pse një përdorues kishte postuar filmin e Ermal Mamaqit në këtë platformë, solli bllokimin total të të gjithë platformës për të gjithë shqipërinë. Po nëse një përdoruesi i teket të postojë këtë film në Youtube apo Facebook? Do të bllokohen dhe këto në shqipëri? A janë këto vendime të drejta ?

Në rastin e faqes Medium.Com, shumë persona kanë shkruar artikujt e tyre dhe tashmë nuk mund ti aksesojnë më, kështu që mundi, lodhja dhe prona e tyre intelektuale po cënohet në të njëjtën formë siç po i cënohej Ermal Mamaqit. A nuk kanë të drejtë përdoruesit e tjerë Shqiptarë? Vetëm Ermal Mamaqi paska të drejtë të bllokojë një media ndërkombëtare? Përse nuk u kontaktua dhe të përdoreshin mjetet që ofron kjo faqe për të fshirë përmbajtjet abuzive dhe me të drejta autoriale?

Jo profesionalizmi i AMA dhe AKEP po shfaqet dhunshëm në këto ditë, duke mos gjetur alternativa se si të kontaktojë mediat përkatëse për bllokimin e materialeve por kalon në diktaturë online.

Ndoshta, mund të vijë dhe ajo ditë, ku për shkak të këtij artikulli që është shkruar në faqen tonë, të sjellë bllokimin total të VloraWeb për gjithë shqipërinë! E kur kjo ditë të vijë, do të jetë shumë vonë!

ISP-të e prekura në gjithë Shqipërinë për bllokimin e faqeve janë: Albtelecom, AbCom, Abissnet, DigiCom, Vodafone, Telekom, StarNet, InterFiber, Albania Hosting SHA, TRING, IBC, Nisatel, Primo, Bleta Net, Pronet, Atel e shumë ISP të tjera lokale të vogla.