Çudira nga Vlora: Rritet çmimi i ujit të pijshëm, ndërsa uji vjen me orar

Rritet çmimi i ujit për qytetarët e Vlorës dhe të rrethinave ndërkohë që shumica e qytetarëve Vlonjat furnizohen me ujë të pijshëm 1 ose 2 orë në ditë, 2 herë në ditë.
Përmes një njoftimi Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë thotë çmimi i ri i ujit, hyn në fuqi për të gjithë konsumatorët e Bashkisë së madhe të Vlorës, përfshirë Qytetin dhe Njësitë Administrative.
Sipas këtij njoftimi çmimi i ujit për konsumatorët familjarë shkon nga 30 lekë/m3, në 45 lekë/m3.
Njoftim i plotë:
Në kuadër të Vendimit Nr.51, të datës 28.10.2019, për “Miratimin e Tarifave të Shërbimit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit të Ujërave të Ndotura”, Enti Rregullator i Ujit ka vendosur ndryshimin e tarifave të ujit për Ujësjellës Kanalizime Vlorë.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, njofton se çmimi i ri i ujit, hyn në fuqi për të gjithë konsumatorët e Bashkisë së madhe të Vlorës, përfshirë Qytetin dhe Njësitë Administrative.
Tarifat e reja të ujit do të jenë si më poshtë:
-Për Konsumatorët Familjarë nga 30 lekë/m3, çmimi i ri bëhet 45 lekë/m3.
-Për Entet Publike nga 60 lekë/m3, çmimi i ri bëhet 100 lekë/m3.
-Për Klientët Privatë nga 80 lekë/m3, çmimi i ri bëhet 100 lekë/m3.
Nga ky vendim do të ndryshojë edhe tarifa e largimit të ujërave të ndotura.
-Për Konsumatorët Familjarë nga 11 lekë/m3 tarifa e largimit të ujërave të ndotura bëhet 15 lekë/m3.
-Për Konsumatorët Publikë dhe Privatë nga 13 lekë/m3, bëhet 25 lekë/m3.
Efekti i rritjes së çmimit të ujit dhe tarifës së largimit të ujërave të ndotura do të pasqyrohet në faturën e ujit të muajit Dhjetor që do të paguhet në Janar te vitit 2020.
Faleminderit për mirëkuptimin!
