Çfarë duhet të dimë për punësimin në Gjermani? Rregullat e reja dhe formulari VIDEX

Më 1.3.2020 hyjnë në fuqi rregulla të reja rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. Ligji i ri zgjeron mundësitë tashmë ekzistuese për punëmarrësit/et e kualifikuar/a nga shtete që nuk janë pjesë e BE-së si Shqipëria, dhe vende të tjera të cilët kërkojnë të nisin një marrëdhënie punësimi në Gjermani.
Ambasada gjermane në Tiranë jep më shumë informacione mbi ligjin e ri dhe se çfarë duhet të kenë parasysh personat që synojnë këtë shtet për t’u punësuar.
Çfarë është ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe çfarë ka ndryshuar?
Ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar u mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (Shtete të Treta) të emigrojnë në të ardhmen në drejtim të Gjermanisë. Nuk do të ketë më kufizime në profesionet me mungesa. Përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me diplomë të shkollës së lartë vazhdojnë të mbeten të vlefshme. Sido që të jetë për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një marrëdhënieje punësimi apo kërkimin e një vendi pune do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën duhet të aplikoni pranë Ambasadës Gjermane.
Kur hyn në fuqi Ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar?
Ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar hyn në fuqi që prej datës 1 mars 2020.
Kush konsiderohet si fuqi punëtore e kualifikuar sipas ligjit të ri?
Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional. Ju mund të ushtroni si fuqi punëtore e kualifikuar një profesion, për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës jashtë vendit. Kusht për të dyja grupet është që ky kualifikim i huaj të njihet në Gjermani nga zyra përkatëse. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe të paktën dy-vjeçare të arsimit profesional.
Rregulla shtesë do të aplikohen në rastin e punonjësve me moshë më të madhe se 45 vjeç. Nëse qëllimi i ardhjes suaj në Gjermani juaj është punësimi, atëherë duhet që të paraqisni një kontratë pune me një pagë minimale të caktuar ose dëshminë për një siguracion pensioni të përshtatshëm.
Specialistët e IT-së, në kushte të caktuara , mund të gjejnë akses në tregun e punës edhe pa një diplomë formale.
Për persona me një kualifikim profesional të pamjaftueshëm ligji nuk ofron mundësi të reja aksesi në tregun e punës në Gjermani.
Por çfarë risie ka gjatë aplikimit për vizë në ambasadë?
Ambasada Gjermane citon:
” Rekomandohet, që si për vizat kombëtare ashtu edhe për vizat Schengen të përdoret aplikimi online VIDEX në funksion të përshpejtimit të procedurave tuaja në sportel. Që prej shkurtit 2020 Ambasada do të pranojë vetëm formularë aplikimesh të plotësuara përmes VIDEX. “
Gjithësesi, shtetasit shqiptarë nuk kanë nevojë për një vizë Schengen pasi për veprimtaritë si: Turizëm, Biznes, Vizitë ose udhëtime të tjera që nuk lidhen me punësimin, paisja me vizë Schengen nuk është e detyrueshme. Afati maksimal për të qëndruar në zonën Schengen është 90 ditë (3 muaj pa të drejtë punësimi).
Në rastin kur synohet vizë (maksimalisht deri në 6 muaj), për qëllim kërkimin e një vendi pune, sërish është i nevojshëm caktimi i një takimi “Termini / Kategoria: §26 kreu 2 i Ligjit për Punësimin e të Huajve. ” në Ambasadën Gjermane si dhe plotësimi i formularit VIDEX për VIZË KOMBËTARE.
Prioritet kanë të gjithë personat që janë të kualifikuar!
Tarifa e vizës
Për shkak të një ndryshimi të ligjit, tarifa për lëshimin e një vize kombëtare (D-Visa) nga data 01.09.2017 do të kushtojë 75€. Tarifa për viza Shengen (C-Visa) mbetet e pandryshuar 60€.
Kohëpritja për aplikantët
Nisur nga një fluks i lartë kërkesash për data aplikimesh për vizë shpërndarja e tyre bëhet me ndihmën e një liste datash dhe oraresh. Lutemi të regjistroni kërkesën tuaj për një takim me qëllim aplikimin për vizë punësimi sipas §26 kreut 2 të Ligjit për Punësimin e të Huajve („Rregullorja për Ballkanin Perëndimor“). Datat dhe oraret e intervistave do të caktohen strikt në mënyrë kronologjike sipas regjistrimit.
Koha e pritjes për një datë/orë interviste momentalisht është qartësisht më e gjatë se një vit. Datat dhe oraret për intervista do të jepen për sa kohë që do të jetë i vlefshëm §26 kreu 2 i Ligjit për Punësimin e të Huajve.
Pra duket se i vetmi ndryshim kryesor lidhet mbi kandidatët që janë të kualifikuar e i plotësojnë kriteret dhe dëshirojnë të marrin një vizë që u jep të drejtën për të kërkuar punë në shtetin Gjerman.
Për më shumë informacion mbi vizën, dokumentet, formularët dhe njohjen e studimeve / ekuivalentimin e diplomës, tarifave dhe siguracionit ekonomik, klikoni në linkun e faqes së Ambasadës Gjermane: https://tirana.diplo.de/al-sq/service/visa-einreise