Aeroporti i Vlorës – Punimet fillojnë më 31 Maj

Është prezantur paraditen e sotme nga Kryeministria, tenderi për Aeroportin e ri të Vlorës. Punimet për ndërtimin e tij pritet të fillojnë më 31 Maj 2020.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se numri i turistëve të huaj që vijnë nga ajri do vijë gjithmonë në rritje pas ndërtimit të Aeroportit të Vlorës.
“Numri i turistëve të huaj që vijnë nga ajri do vijë gjithmonë në rritje. Këtë vit 6.3 milionë turistë të huaj, ose 10% më shumë se një vit më parë. Prapë ne kemi hapësira për turistë që nuk janë shfrytëzuar për shkak të akomodimit dhe infrastrukurës aeroportuale”, tha Klosi.
Gjatë fjalës së tij gjatë prezantimit të projektit për Aeroportin e Vlorës, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se ajo që është premtuar do të bëhet realitet, pasi ka një impakt të jashtëzakonshëm në ekonomi.
“Shumë pak njerëz do ta besonin dhe do ta shihnin si një projekt të realizueshëm. Sot jam këtu për të garantuar atë që premtuam pak kohë më parë dhe sot do të behët realitet. Lungomarja, një ndër projektet më të kritikuara është kthyer një ndër zonat më të vizituara në Vlorë. Na del një detyrë e madhe për akomodimin dhe përgatitjen e stafeve njerëzore. Të gjitha këto kanë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonomi”, tha Leli.