Vlorë, restaurohen godinat historike – Ndërhyrje në 68 objekte. Rama: Perspektiva turistike, shumë premtuese

Kryeministri, Edi Rama, është ndalur këtë fundjavë në qytetin e Vlorës ku ka inspektuar nga afër ndërhyrjet për restaurimin e objekteve historike.

Kryeministri vlerësoi projektin që po zbatohet, si mjaft premtues për zhvillimin turistik në këtë qytet. Projekti për restaurimin e qendrës Historike në qytetin e Vlorës është drejtë përfundimit. Kryeministri, Edi Rama, ka inspektuar punimet restauruese i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Dritan Leli. Rama e vlerësoj projektin si mjaft premtues për zhvillimin turistik teksa pa nga afër ndërhyrjet e bëra në 53 objekte.

“Ajo që është e sigurt është që kjo do bëhet një zonë e jashtëzakonshme. Kjo ishte një plehrë. Do bëhet një zonë e jashtëzakonshme. Unë pashë Korçën herën e fundit, gjithë ajo zona e pazarit tani ka hyrë komplet në atë sistem që duhet të hynte dhe këtu do ndodhë e njëjta gjë. Do bëhet zonë turistike fantastike.” – tha Rama.

Ndërsa për kreun e bashkisë së Vlorës, një nga ndërtesat interesante që do të shërbejë si pikë atraksioni për turizmin është edhe ajo e parashikuar për Muzeun e Hebraizmit

“Kjo është godina ku është vendosur të jetë muzeu kombëtar i Hebraizmit. Është një godinë, e cila ri konstruktohet 1/3 thuajse tërësisht, sepse ka qenë e dëmtuar. Është përdorur si godinë banimi në vite, megjithatë ka goxha informacion si godinë historike.”

Projekti përfshin ndërhyrje restauruese në 68 objekte, monumente kulture dhe objekte të tjerë në zonën arkeologjike B të qytetit.

Burimi: ONETV Vlora (Facebook)